Çfarë është boreout?
E përkthyer në mënyrë të drejtpërdrejtë, boreout nënkupton “sindroma e mërzisë kronike”. Ajo ndodh shpesh në vendin e punës, dhe disa faktorë ndikojnë në zhvillimin e saj ; që nga puna në një vend që nuk na plotëson, deri te mungesa e sfidave cilësore profesionale. Boreout fitoi njohje më të madhe shoqërore me shfaqjen e pandemisë, kur shumë njerëz filluan të punojnë nga shtëpia, ndërsa të tjerë u detyruan të gjenin punë të reja. Shenjat kryesore janë humbja e motivimit, mungesa e kreativitetit, vështirësia në përqendrim për të gjetur zgjidhje etj.
Ndikimi në shëndetin mendor
Ndonëse ngjan si një mërzi e zakonshme që pothuajse çdo individ e përjeton në punë, në të vërtetë është një problem më i madh që, nëse nuk trajtohet, ndikon në shëndetin mendor dhe fizik të personit. Boreout reflektohet edhe në motivimin tonë, dhe është shumë më e vështirë të dallohet nga burnout klasik. Një person që përjeton boreout është fizikisht i pranishëm dhe i kryen detyrat e tij të punës si duhet, por mungon shpirtërisht. Me kalimin e kohës, një person i tillë humbet vullnetin për të punuar, pikërisht sepse gjithçka bëhet monotone, dhe shpesh në fund vendos të ndryshojë punë. Kjo tregon qartë se boreout është një problem për të cilin edhe punëdhënësit duhet të jenë të vëmendshëm.
Si të përballesh me boreout?
Për ta zgjidhur këtë problem, më e mira është të flisni me shefin dhe me anëtarët e ekipit tuaj. Gjatë bisedës, përpiquni të gjeni një segment të punës që do të jetë përsëri sfidues dhe interesant për ju. Duke rikthyer fokusin te puna që ju pëlqen, do të rifitoni motivimin e nevojshëm për detyrat e përditshme. Kjo tregon se është përgjegjësi e punëdhënësve të njohin nevojat e punonjësve dhe t’u japin mundësi të punojnë e zhvillohen në fushat që u përshtaten më natyrshëm. Gjithashtu, këshilla për këdo që mendon se po përjeton boreout është të marrë një pushim dhe pak kohë për veten përpara se të kthehet në punë. Sigurisht, disa njerëz përsëri nuk gjejnë një zgjidhje ideale, ndaj vendosin të largohen nga organizata për të gjetur një vend ku do të ndihen të përmbushur në punën e tyre të përditshme.

Pse është e rëndësishme biseda?
Megjithëse termi boreout mund të jetë relativisht i ri në shoqëri, kjo nuk e zvogëlon praninë dhe ndikimin e tij në produktivitetin dhe shëndetin mendor të punonjësve. Prandaj, mos hezitoni të flisni për situatën tuaj, sepse duke e shtypur më tej realitetin, e çoni veten drejt cakut mendor. Bisedat më të shpeshta mbi këtë temë mund të krijojnë një klimë të këndshme pune, ku, nëse është e mundur, secili të bëjë atë që e përmbush jo vetëm si punonjës, por edhe si njeri.
Mos i neglizhoni ndjenjat tuaja ndaj punës që bëni çdo ditë. Shumica e njerëzve përjetojnë momente stresi, mërzie dhe ankthi në vendin e punës. Por nëse kjo bëhet rutina juaj e përditshme, ka ardhur koha ta zgjidhni këtë problem dhe të gjeni zgjidhjen ideale për veten dhe për mjedisin tuaj të punës.